E përditësuar 12:50 – Dy qytetarë, njëri prej të cilëve një fëmijë 5 vjeç, kanë mbetur të lënduar nga zjarri që përfshiu një ndërtesë banimi në Prishtinë. E dyshohet se zjarri mund të ketë nisur nga banesa ku jetonin ata të dy. Fëmija është dërguar në Emergjencë.
Pesë zjarrfikës po ashtu kanë kërkuar trajtim mjekësor, por lëndimet e tyre nuk kanë qenë serioze.
Drejtori për Siguri dhe Emergjenca në kryeqytet, Lulzim Fushtica, ka thënë se ekipet janë ende në vendngjarje, megjithëse zjarri është lokalizuar.
“Dy qytetarë janë lënduar, babai dhe fëmija 5 vjeç, dhe pesë zjarrfikës. Fëmija është dërguar në Emergjencë. Zjarrfikësit janë lënduar gjatë intervenimit, por nuk janë lëndime serioze. Po dyshohet se zjarri ka mundur të fillojë nga vendi i dy qytetarëve, ose ndonjë afër, ende nuk është e qartë”, ka thënë Fushtica për KOHËN.
Mal Gashi, komandant i Brigadës së Zjarrfikësve në Prishtinë, ka thënë se gjithçka është nën kontroll.
“Problematika që është në shuarjen e këtyre zjarreve është që mbindërtimet që janë në këto ndërtesat këtu mbrapa dhe aty ka kthina shumë dhe sigurisht edhe izolimi dhe materiale të ndryshme që është kriju temperaturë tepër e lartë. Megjithatë tash për momentin gjithçka është nën kontroll dhe jemi në përfundim e sipër të këtij zjarri”, ka thënë Gashi.
Zjarri nisi rreth orës 7:00 të mëngjesit të sotëm.
Përfshihet nga zjarri një ndërtesë në Prishtinë, tre persona në trajtim mjekësor
Një ndërtesë banimi në Prishtinë është përfshirë nga zjarri mëngjesin e së shtunës.
Tre persona janë trajtuar nga ekipet mjekësore.
Ekipet emergjente janë në vendin e ngjarjes, derisa tymi po vazhdon të shpërndahet.
“Sot rreth orës 07:30, kemi pranuar informatën për një incident zjarri në një ndërtesë banimi në rrugën Isa Kastrati në Prishtinë. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë policia ekipet mjekësore dhe zjarrfikësit të cilët po merren me rastin. Bazuar në të dhënat e deritanishme tre persona janë trajtuar nga ekipet mjekësore”, kanë thënë nga Policia.

