"Meditimi" ngasës i Luigi Secchit,
Nga Albert Vataj
Në një kohë kur skulptura ishte përherë në gjyqin e formës, në përballje me idealin dhe shqetësimin estetik, Luigi Secchi, ky mjeshtër i heshtur i mermerit italian, krijoi një vepër që nuk shfaqet me pompozitet, por hyn në vështrim si një mendim i butë, si një përqafim që nuk kërkon kthim, por rreket të zgjojë forcë përjetimi. “Meditimi” (1910) është titulli i kësaj skulpture, por në të vërtetë është një heshtje që flet me mishin e mendimit, një shushurimë e qetë që sfidon ligjin e pashmangshëm të materies.
Në këtë vepër, Secchi ka skalitur një grua të përthyer mbi vetvete, e mbështetur në një mur të amshuar përuljeje, me dorën që prek lehtë faqen në një akt që nuk është as pendesë, as lodhje, por meditim i trupit për shpirtin. Manteli që e mbulon, i hollë si frymë dhe i tejdukshëm si ndjenjë, duket sikur nuk është gdhendur në gur, por është fryrë nga era dhe lënë të prehet mbi format e saj si një drithërimë.
Është një figurë që mbart gjithë palcën e një kohe që nderonte feminilen, jo si mish, por si dritë e mishëruar në hyjninë e hirit. Në të gjendet një përzierje tronditëse sensualiteti dhe mendimi, një fije epshi e zbardhur nga drita, një ndjeshmëri që nuk ndot por e lartëson ndjenjën në altarin e atyre lutjeve që na ftojnë për blatime të shenjta. Ajo përfton në mënyrë tronditëse atë që arti më i ndershëm arrin të thotë pa zë, se bukuria nuk është objekt, por shpirt që bëhet formë.

Në një radhë të gjatë veprash të mëdha që mbajnë emrin e Secchit, si “Kungimi i fundit i Manzoni” (1903) në kishën e San Fedele në Milano, “Monumenti për Pietro Ceretti” (1895) në Verbania, “Monumenti për Mac Mahon” (1895) në Magenta, apo statuja e Giuseppe Verdit (1913) në Busseto, është pikërisht kjo vepër, “Meditimi”, që rrallë përmendet, thuajse me një drojë të fajshme, si një sekret i ruajtur me kujdes, që mos trazohet paqja e brendshme e kësaj krijese prej guri, që duket se frymon në një frymëzim të përhershëm.
Kritika mund të ketë shpërblyer monumentet, por ndjeshmëria njerëzore e gjen veten në këtë vajzë prej mermeri, që me një kthim koke dhe një rënie supesh na thotë më shumë për trishtimin, erotikën dhe heshtjen se një bibliotekë e tërë estetike. Ajo nuk thërret për vëmendje, ajo përhumb, deh dhe rrëmben syrin që kërkon më shumë se pamjen, kërkon përjetimin. Guxo dhe gjeje veten të magjepsur nga përfshirja dhe përjetimi.
Në artin e Luigi Secchit, nxënës i Pietro Magnit dhe Francesco Barzaghit, mjeshtër i Breras dhe skulptor i shumë monumenteve italiane, “Meditimi” mbetet si një pikë loti mbi ballin e një epoke, një grua që pëshpërit nën zë, por që përmes kësaj heshtjeje na mëson të dëgjojmë më thellë veten tonë.
Ajo çfarë mbetet nga “Meditimi” nuk është vetëm gdhendja mjeshtërore e formës, por ajo çfarë zgjohet në shikuesin që e sodit, një tronditje e qetë, një heshtje që përftohet si përgjigje nga thellësia e përvojës njerëzore. Sepse arti i vërtetë nuk është ai që jep përgjigje, por ai që ngre pyetje të pashprehshme, që i lë ndjenjat në pezullim si një statujë që sapo ka marrë frymë dhe nuk ka guxuar ta nxjerrë ende.
Te kjo vajzë prej mermeri, që qëndron mes dritës dhe hijeve, njeriu sheh jo vetëm një trup të hijshëm, por një ide që ka zgjedhur mishërimin si mënyrën më fisnike për të qenë. Manteli që i mbulon lakuriqësinë, por nuk e fsheh dot atë, është paradoksi i përhershëm i artit, të fshehë për të zbuluar më thellë, të nënkuptojë për të ftuar në zbërthim, të heshtë për të bërë zë në shpirt.
Ky “Meditim” nuk është i vajzës, as i skulptorit, është yni. Është meditimi ynë për të bukurën, për fragjilitetin, për virtytin dhe tundimin, për frymën që na kaplon kur përballemi me artin e madh. Ajo vajzë nuk pret të kuptohet, as të përmendet me lavdi. Ajo është aty për të na kujtuar se ndjeshmëria nuk flet zëqiellt, ajo rrëqethet duke cekur çdo fije nervash dhe duke ndezur çdo vërshim gjaku. Nuk kërkon vëmendje, por hap zemra.
E tillë është kjo vepër e Luigi Secchit, që në përuljen e saj estetike, ngre peshë më shumë se monumentet me kulla dhe heronj. Sepse ajo na vë përballë vetes sonë më të brishtë, atje ku njeriu nuk është as hero, as shenjtor, por vetëm një qenie që mendon, ndien, dhe ndoshta dashuron ashtu marrëzisht, siç di ai vërtetë të dashurojë.