Nga Albert Vataj

Po fillonte të zbardhte dita kur mbylla faqen e fundit të romanit. Drita e agut depërtonte me drojë nëpër perdet e dhomës, ndërsa unë rrekesha të flija pas pesë orësh lexim të pandërprerë. Kisha mbyllur sytë, por mendja ime vazhdonte të endet nëpër korridoret e errëta të Barcelonës së Zafón, nëpër rrugicat e lagura nga shiu, nëpër hijet e fateve që sapo kisha lënë pas. Nuk arrija të kuptoja nëse imagjinata ime po më shfaqte filmin e asaj që kisha lexuar, apo nëse unë vetë isha bërë pjesë e asaj bote, i burgosur mes personazheve, kujtimeve dhe mistereve të romanit.
Fjeta apo dola nga libri, nuk e mora vesh kur ra alarmi i telefonit. Ishte ai çasti i rrallë kur letërsia nuk mbetet më vetëm lexim, por bëhet gjendje shpirtërore, përjetim, një jetë tjetër që vazhdon edhe pasi libri është mbyllur. Kjo është magjia e leximit. Kjo është fuqia që kanë vetëm veprat e mëdha, të të rrëmbejnë aq thellë, sa kufiri mes reales dhe imagjinatës të tretet pa u kuptuar.
Këtë mund të ndaj me ju për romanin “Hija e erës”, një nga kryeveprat më magjepsëse të letërsisë bashkëkohore botërore, shkruar nga Carlos Ruiz Zafón, shqipëruar mjeshtërisht nga Arsian Klosi, botim i Dituria 2005. Romani është pjesa e parë e tetralogjisë monumentale “Varreza e Librave të Harruar”, por funksionon në mënyrë të përkryer edhe si një univers më vete, i mbyllur dhe i plotë në magjinë e tij narrative.
Ky nuk është thjesht një roman. Është një himn i madhërishëm dhe melankolik për librin, për kujtesën, për fuqinë e fjalës dhe për mënyrën se si historitë vazhdojnë të jetojnë brenda nesh, edhe kur bota përpiqet t’i zhdukë. Zafón nuk shkruan vetëm një histori, ai ndërton një katedrale letrare ku çdo personazh, çdo rrugicë, çdo kujtim dhe çdo fjali kumbon si jehonë e një bote që refuzon të harrohet.
Ngjarjet zhvillohen në Barcelonën e pasluftës civile, në vitet 1945–1950, një qytet i mbuluar nga mjegulla, shiu dhe heshtja e frikshme e diktaturës frankiste. Barcelona e Zafónit nuk është thjesht sfond, ajo është një qenie e gjallë, që merr frymë, vuan, fsheh sekrete dhe përgjon fatet njerëzore. Me një penelatë gotike, pothuaj mistike, autori krijon një atmosferë ku e vërteta dhe fantazmagorikja ecin dorë për dore, aq pranë njëra-tjetrës, sa lexuesi nuk arrin më të dallojë ku mbaron realiteti dhe ku fillon ëndrra.
Historia nis në një mëngjes të zymtë, kur dhjetëvjeçari Daniel Sempere zgjohet me ankthin se nuk arrin më të kujtojë fytyrën e nënës së tij të vdekur. Për ta ngushëlluar, i ati, një librashitës antikuar, e çon në një vend sekret në zemër të Barcelonës së vjetër, në “Varreza e Librave të Harruar”. Një hapësirë që nuk është bibliotekë në kuptimin e zakonshëm të fjalës, por një labirint i shenjtë kujtese, një katakombë librash ku nuk ruhen eshtrat e të vdekurve, por shpirtrat e historive të harruara. Aty struken fate, pasione, tragjedi dhe botë të tëra që presin të rizgjohen nga duart e një lexuesi.
Është e pamundur të mos të sjellë ndër mend atmosferën misterioze të “Emri i trëndafilit” të Umberto Eco, por Zafón ndërton një univers krejt tjetër, më emocional, më melankolik, më i përshkuar nga nostalgjia dhe plagët e dashurisë.
Sipas traditës së atij vendi misterioz, Danieli duhet të zgjedhë një libër dhe ta mbrojë atë gjatë gjithë jetës. Ai zgjedh “Hija e erës”, të një autori enigmatik të quajtur Hulian Karaksi. Dhe pikërisht aty nis udhëtimi që do t’i ndryshojë jetën. Libri e magjeps Danielin deri në obsesion, por kur ai kërkon vepra të tjera të Karaksit, zbulon një të vërtetë të frikshme. Dikush po i zhduk sistematikisht të gjithë librat e autorit. Një figurë e errët, e djegur dhe fantazmagorike, që e quan veten Lain Koubert, emri i djallit në romanin e Karaksit, endet nëpër Barcelonë duke djegur çdo kopje që gjen.
Që nga ai çast, Danieli futet pa e kuptuar në një rrjetë sekretesh, krimesh të vjetra, dashurish të pamundura dhe hakmarrjesh që vazhdojnë të helmojnë jetët e njerëzve edhe pas shumë vitesh. Dhe sa më shumë që afrohet drejt së vërtetës, aq më shumë jeta e tij fillon të pasqyrojë, në mënyrë të frikshme, fatin tragjik të Hulian Karaksit. Sikur librat të mos ishin vetëm pasqyrë e jetës, por forca që e modelojnë atë.
Danieli rritet përgjatë romanit jo vetëm në moshë, por edhe në shpirt. Nga një fëmijë kureshtar ai shndërrohet në një burrë që mëson të përballet me humbjen, frikën, dashurinë dhe sakrificën. Përmes tij, Zafón na kujton se rritja e vërtetë ndodh kur njeriu guxon të kërkojë të vërtetën, edhe kur ajo mund ta shkatërrojë.
Ndër personazhet më të paharrueshëm që ka lindur letërsia moderne është pa dyshim Fermín Romero de Torres. Një ish-i burgosur politik, i uritur, i përndjekur, ironik dhe brilant, me një humor të hollë që ndriçon edhe skenat më të errëta të romanit. Fermín-i është zemra njerëzore e kësaj historie: një figurë tragjike dhe komike njëkohësisht, që e kthen besnikërinë dhe miqësinë në forma të shpëtimit moral. Ai nuk është vetëm ndihmësi i Danielit; ai është ndërgjegjja e romanit.
Në anën tjetër qëndron inspektori Fumero, një nga antagonistët më të frikshëm të letërsisë bashkëkohore. Sadist, i korruptuar dhe i zhveshur nga çdo grimë njerëzillëku, ai mishëron brutalitetin e diktaturës dhe errësirën morale të një kohe ku frika ishte bërë mënyrë jetese.
Ndërsa Bea Aguilar, dashuria e madhe e Danielit, sjell në roman një dritë të brishtë shprese dhe guximi. Ajo nuk është thjesht figura romantike e historisë, por një grua e fortë, inteligjente dhe e lirë në mendim, që e ndihmon Danielin të depërtojë në të kaluarën dhe në vetveten.
Por mbi të gjitha, protagonisti i madh i këtij romani mbetet vetë libri. Librat, te Zafón-i, nuk janë objekte prej letre. Ata kanë shpirt. Janë qenie të gjalla që mbartin kujtime, plagë, ëndrra dhe jetë njerëzore. Ata mund të shpëtojnë, por edhe të mallkojnë. Mund të ndriçojnë, por edhe të djegin. Dhe mbi të gjitha, kanë fuqinë të ndryshojnë fatin e atij që i lexon.
Në këtë roman, lufta më e madhe nuk zhvillohet vetëm mes njerëzve, por mes kujtesës dhe harresës. Mes dëshirës për të ruajtur historitë dhe etjes së botës për t’i zhdukur ato. Zafón na kujton se çdo njeri që harrohet, vdes për herë të dytë. Dhe se librat janë ndoshta forma më fisnike e pavdekësisë që kemi shpikur.
Stili i Carlos Ruiz Zafón-it është i jashtëzakonshëm: poetik, vizual, melodik dhe kinematografik. Ai ndërthur me mjeshtëri romanin gotik, thrillerin detektiv, dramën psikologjike dhe romanin e formimit, duke krijuar një vepër që lexohet si mister, por mbetet në shpirt si elegji. Fjalitë e tij kanë aromën e shiut mbi gurët e vjetër të Barcelonës; kanë melankolinë e kujtimeve që nuk pranojnë të vdesin.
Dhe ndoshta asnjë fjali nuk e përmbledh më bukur frymën e këtij romani sesa kjo:
“Çdo libër, çdo vëllim që sheh, ka një shpirt. Shpirtin e atij që e ka shkruar dhe shpirtin e atyre që e kanë lexuar, që kanë jetuar dhe kanë ëndërruar me të.”
Sepse “Hija e erës” nuk është një libër që thjesht lexohet. Është një libër që të përthith, të ndjek, të pushton dhe mbetet brenda teje si një jehonë e largët, si një hije që nuk largohet më.